Pyetjet më të Shpeshta: Votimi nga Diaspora

By: admin    January 13, 2021

1. Cilat zgjedhje do të mbahen sivjet në Republikën e Kosovës?

  • Më 14 shkurt 2021 do të mbahen Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

2. Kur fillon periudha e aplikimit për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës?

  • Periudha e aplikimit për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës fillon me datën 13 janar 2021 dhe përfundon me datën 21 janar 2021, në orën 18:00, sipas kohës lokale në Kosovë.
    KUJDES! Nëse ju dërgoni aplikacion për regjistrim me datën 21 janar 2021 pas orës 18:00, aplikacioni i juaj për regjistrim nuk do të shqyrtohet.

3. Unë jam interesuar për të aplikuar për regjistrim të votues jashtë Kosovës, dhe si mund ta dërgoj formularin e aplikimit për regjistrim?

Ju mund të aplikoni për tu regjistruar, sipas tri mundësive që i ofron KQZ‐ja, sipas Ligjit dhe rregullës zgjedhore, e të cilat janë:

  1. Duke dërguar aplikacionin për regjistrim të plotësuar dhe nënshkruar me kopjet e dokumenteve të nevojshme, përmes e‐mailit, në njërën nga këta e‐maila: ovpp@kqz‐ks.org; ose vjk.kqz@kqz‐ ks.org, ose ogpp@kqz‐ks.org; ose
  2. Duke dërguar aplikacionin për regjistrim të plotësuar dhe nënshkruar me kopjet e dokumenteve të nevojshme, përmes faksit, në numrin e telefonit +383 (0) 38 213 200, ose
  3. Duke dërguar aplikacionin për regjistrim të plotësuar dhe nënshkruar me kopjet e dokumenteve të nevojshme, përmes postës, në adresën e më poshtme:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve Votimi Përmes Postës Posta 6, kutia postare 351 10 000 Prishtinë Republika e Kosovës

4. Për sa persona mund të aplikoj për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës?

  1. Për një e‐mail adrese, ju mund të aplikoni për tu regjistruar për vetëm rrethin e ngushtë familjarë, që keni të njëjtin mbiemër. KUJDES! Nëse ju dërgoni aplikacione për regjistrim për persona që kanë mbiemra të ndryshëm, aplikacionet nuk do të shqyrtohen.
  2. Po ashtu, nëse aplikoni për tu regjistruar, duke dërguar aplikacione përmes faksit, ose përmes postës, do të vlejë rregulli si në pikën (1).
  3. KQZ‐ja do të verifikoj procesin e regjistrimi, duke iu kontaktuar të gjithë aplikuesit përmes telefonit. NËSE aplikuesi nuk lajmërohet në telefon, atëherë aplikacioni i juaj do të refuzohet. Secili prej aplikuesve, duhet ta ketë në formular numrin personal të telefonit.

5. Nëse kam aplikuar suksesshëm për tu regjistruar si votues jashtë Kosovës në Zgjedhjet e vitit 2019, cilat dokumente duhet t’i dërgoj për tu regjistruar si votues në listën e votuesve jashtë Kosovës në Zgjedhjet për Kuvendin që mbahen me datën 14 shkurt 2021?

Po, ju keni të drejtë. Në këtë rast nevojitet që ju t’i dërgoni këto dokumente:

  1. (Formularin e aplikimit për regjistrim I) të plotësuar dhe nënshkruar,
  2. Kopjen e dokumentit të vlefshëm identifikues të Republikës së Kosovës (letërnjoftim i vlefshëm, ose pasaportë të vlefshme, ose patent shofer i vlefshëm). ‐ NËSE nuk posedoni dokumente të vlefshme si në pikën (2) mjafton që ju ta dërgoni edhe një kopje të vlefshme të dokumentit identifikues me foto të shtetit ku jetoni, për shkak se në zgjedhjet e fundit ju keni dëshmuar kriterin e zotësisë juridike, ndërsa për zgjedhjet që mbahen me datën 14 shkurt 2021, mjafton që ta dëshmoni vetëm identitetin.

6. Nëse jam shtetas i Republikës së Kosovës, dhe regjistrohem suksesshëm për të votuar përmes postës, a kam të drejtë që të votoj në Kosovë, në vendvotim brenda Kosovës, në ditën e zgjedhjeve me datën 14 shkurt 2021?

Jo, nuk keni të drejtë.
‐ Bazuar në Rregullën Zgjedhore Nr. 03/ 2013 Votimi jashtë Kosovës, sipas neni 3.8, nëse ju keni aplikuar suksesshëm për tu regjistruar si votues nga jashtë Kosovës, dhe jeni shtetas i Kosovës, i regjistruar në regjistrin qendror civil, emri i juaj do të largohet nga lista përfundimtare e votuesve që përdoret brenda Kosovës në vendvotime. Në këtë rast, ju nuk do të keni mundësi që të votoni në vendvotimin brenda Kosovës, nëse me datën 14 shkurt 2021, do të jeni në Kosovë.

7. Nëse jam shtetas i Republikës së Kosovës dhe jetoj jashtë Kosovës, dhe posedoj dokumente të vlefshme të Republikës së Kosovës, a kam të drejtë që të votoj përmes postës?

Po, ju keni të drejtë. Në këtë rast nevojitet që ju t’i dërgoni këto dokumente:

  1. (Formularin e aplikimit për regjistrim I) të plotësuar dhe nënshkruar,
  2. Kopjen e dokumentit të vlefshëm identifikues të Republikës së Kosovës (letërnjoftim i vlefshëm, ose pasaportë të vlefshme, ose patent shofer i vlefshëm).
    KUJDES! nëse dokumentit të identifikimit të Republikës së Kosovës, i ka skaduar afati i vlefshmërisë, në këtë rast ju duhet ta dërgoni edhe një kopje të vlefshme të identifikimit të shtetit ku jetoni.

8. Unë nuk posedoj dokumente të identifikimit të Republikës së Kosovës, a kam të drejtë që me dokument identifikimi të lëshuar nga UNMIK‐u të regjistrohem që të votojë përmes postës?

Po, ju keni të drejtë. Nëse ju posedoni dokumente identifikimi të lëshuara nga UNMIK‐u (letërnjoftim, pasaportë, patent shofer) të cilat nuk janë valide, ju mund të regjistroheni për të votuar përmes postës. Në këtë rast, ju duhet t’i dërgoni këto dokumente:

  • (Formularin e aplikimit për regjistrim II) të plotësuar dhe nënshkruar,
  • Kopjen e dokumentit të UNMIK‐ut (letërnjoftimin, ose pasaportën, ose patentshoferin), dhe
  • Një kopje të dokumentit identifikues të vlefshëm me fotografi të shtetit ku jetoni.

9. Unë nuk posedoj asnjë dokument të identifikimit të Republikës së Kosovës, dhe asnjë dokument të identifikimit të lëshuar nga UNMIK‐u. A kam të drejtë që të regjistrohem që të votojë përmes postës?

Po, ju keni të drejtë. Nëse nuk posedoni dokumente të identifikimit të lëshuar nga Republika e Kosovës, dhe dokumente të identifikimit të lëshuar nga UNMIK‐u, ju mund të regjistroheni që të votoni përmes postës, duke i dërguar kopjet e këtyre dokumenteve:

  • (Formularin e aplikimit për regjistrim II) të plotësuar dhe nënshkruar,
  • Kopjen e certifikatës së lindjes e lëshuar nga Republika e Kosovës, ose që është lëshuar nga UNMIK‐ut. NËSE nuk e keni këtë dokument, ju mund ta dërgoni kopjen e certifikatës së martesës, ose kopjen e bashkësisë familjare, që është lëshuar po ashtu nga Republika e Kosovës, ose UNMIK‐ut, ku në këto dokumente shkruan vendi i lindjes në Kosovë, dhe
  • Një kopje të dokumentit identifikues të vlefshëm me fotografi të shtetit ku jetoni.

10. Unë nuk posedoj asnjë dokument të identifikimit të Republikës së Kosovës, asnjë dokument të identifikimit të lëshuar nga UNMIK‐u, dhe as certifikatë të lindjes, martesës apo bashkësisë familjare të lëshuara nga Republika e Kosovës dhe UNMIK‐ut. A kam të drejtë që të regjistrohem që të votojë përmes postës?

Po, ju keni të drejtë. Nëse nuk i posedoni dokumentet sikurse në pyetjen numër 10, ju mund të regjistroheni suksesshëm për të votuar përmes postës, duke dërguar këto dokumente, si më poshtë:

  1. (Formularin e aplikimit për regjistrim II) të plotësuar dhe nënshkruar,
  2. Dokumentet e lëshuara nga administrata e ish – Jugosllavisë, ku data e lëshimit të këtyre dokumenteve duhet të jetë jo më vonë se data 10 qershor 1999, për këto dokumente si: ‐ letërnjoftim, ose ‐ pasaportë, ose ‐ patent shofer, ose ‐ certifikatë të lindjes, ose ‐ certifikatë të martesës apo bashkësisë familjare (ku theksohet se ju keni lindur në Kosovë), dhe
  3. Një kopje të dokumentit identifikues të vlefshëm me fotografi të shtetit ku jetoni.

11. Nëse nuk posedoj asnjë dokument të lëshuar nga Republika e Kosovës, as nga UNMIK‐u, dhe as nga administrata e ish – Jugosllavisë, a mund të regjistrohem që të votojë përmes postës?

Po, ju keni të drejtë. Nëse nuk i posedoni dokumentet sikurse në pyetjen numër 11, ju mund të regjistroheni suksesshëm për të votuar përmes postës:

NËSE: Njëri prind i juaji është shtetas i Republikës së Kosovës, në këtë rast ju duhet t’i dërgoni këto dokumente:

  1. (Formularin e aplikimit për regjistrim II) të plotësuar dhe nënshkruar,
  2. Një kopje të dokumentit tuaj identifikues të vlefshëm me fotografi të shtetit ku jetoni,
  3. Kopjen e dokumenteve të lëshuara nga Republika e Kosovës, si: letërnjoftim, ose pasaportë, ose patent shofer, të prindit tuaj, dhe
  4. Një kopje të dokumentin, si certifikatë e lindjes së shtetit ku jetoni, ose certifikatë familjare, ku në këto dokumente dëshmohet emri i prindit tuaj, për të cilin e keni kopjen e dokumentit të Republikës së Kosovës.

NËSE: Njëri prind i juaji ka lindur në Kosovë, por nuk është shtetas i Kosovës, në këtë rast ju duhet t’i dërgoni këto dokumente:

  1. (Formularin e aplikimit për regjistrim II) të plotësuar dhe nënshkruar,
  2. Një kopje të dokumentit tuaj identifikues të vlefshëm me fotografi të shtetit ku jetoni,
  3. Njërën nga kopjet e këtyre dokumenteve me të cilat vërtetohet si prindi i juaj ka lindur në Kosovë:
    ‐ Certifikatë e lindjes, e lëshuar nga Republika e Kosovës, ose UNMIK‐u
    ‐ Certifikatë e martesës, certifikatë e bashkësisë familjare e lëshuar nga Republika e Kosovës, ose UNMIK‐u, ku në këto dokumente theksohet se prindi i juaj ka lindur në Kosovë
    ‐ Letërnjoftim, pasaportë, patent shofer, certifikatë të lindjes, certifikatë të martesës, ose certifikatë të bashkësisë familjare, që janë lëshuar nga administrata e ish – Jugosllavisë, ku data e lëshimit duhet të jetë jo më vonë se 10 qershor 1999.

12. Në formularin nr. 2 kërkohet numri amëz, mirëpo unë nuk e di/kam. A mund ta lë të zbrazët këtë hapësirë?

Po, mund ta leni të zbrazët nëse i keni plotësuar pjesët tjera dhe keni bashkangjitur dokumentacionin e kërkuar.

admin

More Posts

Follow Me:
TwitterFacebookLinkedIn